28 Korrik, 2022 - 1:42 pm
Grupi “Qytetarët Aktivë” ka njoftuar se Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në Gërmi, shkruan KultPlus.
“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim sot me datën 28.07 ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit Sunnyhill në Peizazhin e Gërmisë. Qytetarët Aktivë kanë adresuar ankesën tek Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”, thuhet mes tjerash.
Ndërkaq, në vendimin e Drejtorisë për shebime publike, mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Prishtinës, njoftohet edhe për revokimin e pëlqimit.
“Bazuar në nenin 53 pika 1 të Ligjit nr. 05/L-031 bëhet revokimi i pëlqimit nr. 07-353-/04-146960/22, me qëllim që lënda të trajtohet dhe plotësohet në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës nr. 03/L-233, si dhe rëndësisë kulturore të Festivalit Sunny Hill”. /KultPlus.com