11 Shtator, 2020 - 10:41 am
Problemi me qentë endacak mbetet shqetësues për Komunën e Prishtinës, marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetarëve çdo ditë.
Sipas një njoftimit për media nga Komuna e Prishtinës, thuhet se duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi.
Tutje në njoftim thuhet se çështja e qenve endacak duhet të trajtohet dhe zgjidhet në nivel kombëtar dhe në gjithë territorin e Kosovës.
“Duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi edhe pse me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore e njerëzore, komunat nuk kanë mundësi që të përballen vetë me këtë sfidë”, thuhet në njoftim.
Siç thonë ata, Komuna e Prishtinës për zgjidhjen e problemit të qenve endacak është duke punuar në disa drejtime.
“Duke bërë rehabilitimin e gjendjes së tanishme, Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik bën trajtimin e qenve në mënyrë humane siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi. Prandaj, qentë endacak zihen në qytet, kontrollohen për sëmundje, vaksinohen apo trajtohen nëse sëmundja është e shërueshme, sterilizohen apo kastrohen në mënyrë që të mbahet nën kontroll shtimi i tyre, mbahen në kujdestari deri në 14 ditë në mënyrë që të socializohen dhe pastaj, veterineri jep urdhër për, lirimin apo eutanazimin nëse qeni është agresiv”.
Në njoftimin e dërguar nga Komuna e Prishtinës po ashtu thuhet se është hartuar një plan operativ dhe është përpiluar harta e rrezikut duke e identifikuar vend ndodhjen e qenve endacak.
“Vazhdimisht identifikohen dhe rrënohen shtëpitë e braktisura, si dhe vazhdimisht pastrohen deponitë ilegale në mënyrë që të parandalojmë grumbullimin e qenve. Komuna e Prishtinës i ka aktiv edhe numrat emergjent pa pagesë, që janë të hapura 24 orë, ku qytetarët mund të lajmërojnë për çdo parregullsi apo shqetësim që kanë. Numrat janë si më poshtë:
Kodi/Numrat Lloji i Shërbimit Qëllimi i përdorimit
0800 122 33 Pa pagesë Lajmërimi i parregullsive që vërejnë qytetarët
0800 122 44 Pa pagesë Lajmërimi i parregullsive që vërejnë qytetarët
0800 122 55 Pa pagesë Lajmërimi i rasteve të rrezikut nga qentë endacak (faza emergjente)”, thuhet tutje në njoftim.
Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës bën të ditur se ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e strehimores për qentë endacak dhe trajtimin e tyre, si dhe është në pritje të lejes mjedisore nga Ministria.
Po ashtu është duke e zbatuar pilot projektin për pesë pikat ushqyese për qentë në territorin e Prishtinës./ KultPlus.com