26 Qershor, 2020 - 10:59 pm
Qyteti ilir i Albanopolit, në Zgërdhesh të Krujës, duhet të kthehet në një stacion për arkeologët dhe studiuesit, por edhe në një destinacion të mirëfilltë turistik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka inspektuar punimet që po bëhen për ta pastruar nga vegjetacioni qytetin ilir të Albanopolit.
“Në qytetin ilir të Albanopolit, në Zgërdhesh të Krujës, i cili po pastrohet nga vegjetacioni, duke na zbuluar sërish madhështinë e një vendbanimi, i cili daton që prej shek. IV p.e.s”, është shprehur ajo.
“Falë punës së punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë dhe Bashkisë së Krujës”, ka theksuar Margariti, “po del në dritë ky qytet, që shtrihet në një hapësirë prej 8,2 hektarësh”.
“Fare pranë Krujës dhe kryeqytetit, rrënojat e këtij vendbanimi ilir, i identifikuar së pari nga albanologu austriak Johann Georg von Hahn dhe thelluar nga arkeologu dhe studiuesi ynë Selim Islami, dëshmojnë për lavdinë e tij të dikurshme”, ka shtuar ministrja.
Ministrja është shprehur se, “ai duhet të kthehet në një stacion për arkeologët dhe studiuesit, por edhe në një destinacion të mirëfilltë turistik”. /Atsh /KultPlus.com