24 Prill, 2021 - 4:29 pm
Gjurmët e Rilindjes Evropiane janë ende kudo në Itali, duke filluar nga arkitektura, sheshet tipike të qyteteve dhe sigurisht i gjithë arti mbresëlënës në kisha dhe galeri.
Gjithashtu, Italia ka trashëguar prej kësaj periudhe edhe shije te veçanta të recetave të gatimit. I tillë është qyteti Ferrara, në rajonin verior të Emilia Romagna-s. I njohur që në atë kohë për gatimet dhe kuzhinierët më të famshëm si Messisbugo, që shquhej për banketet e shtruara në nder të krerëve të shteteve. Si një profesionist i tillë, ai shkroi dhe një nga librat më të hershëm të gatimit në botë “Bankete, receta dhe shtrimi i tryezave”, botuar në vitin 1549, ku renditen 300 receta gatimi.
Libri i gatimit të shekullit të 16-të ka receta që vazhdojnë të gatuhen në Ferrara ende sot, të tilla si “pasticio”, një lloj byreku me makarona, djathë, ragu mishi, salcë beshamel; një lloj suxhuku me një pure shekullore patateje, si dhe makarona të mbushura me kunguj. E njohur është edhe buka e preferuar e zyrtarëve të kohës, me brumin në formën e një dredhaniku. Çdo pjatë, megjithatë, ka pësuar përpunime dhe ndryshime.
Sergio Perdonati është një nga furrtarët që ka të trashëguar sekretin e recetës së bukës së famshme dhe çdo ditë prodhon mbi 1000 copë të tilla. Mbështetur në këtë traditë ai ka ripërpunuar edhe të tjera gatime, kryesisht ëmbëlsira. Gjithashtu, ai ende prodhon një tortë që daton që nga Rilindja, e bërë me copa bajame, lëvore portokalli dhe e mbuluar me çokollatë të zezë.
Vendasit kanë arritur të tërheqin një numër të madh turistësh duke kryqëzuar traditat e kohës me ato të Rilindjes, por edhe më tej. Manastire apo kështjella të shekujve 15-të që shërbejnë për restorantet ku serviren këto receta 500-vjeçare./ KultPlus.com