27 Shkurt, 2021 - 4:26 pm
Për shumicën e turistëve në Spanjë, Barcelona dhe Sevilja janë destinacionet kryesore për t’u vizituar, duke mënjanuar shpesh Kordobën, një nga qytetet me më shumë zona të mbrojtura nga UNESCO.
Kordoba, pjesë e Andaluzisë, që nga viti 2018, është qyteti i parë në botë që ka katër site të vlerësuara nga UNESCO, duke kaluar Romën dhe Parisin. Të përcaktuara nga një Komitet i Trashëgimisë Botërore, që përfshin përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, këto site paraqesin, një vlerë të jashtëzakonshme universale dhe përmbushin një nga 10 kriteret, siç janë përfaqësimi i një tradite apo civilizimi kulturor ekzistent ose të zhdukur.
Ndër këto site, është edhe lagjja piktoreske historike, në zemër të Kordobës, ku guidat turistike, zakonisht këshillojnë që të vizitohet edhe për restorantet me gatime mjaft të mira, me produkte të zonës, si supa e ftohtë me domate dhe vaj ulliri. Zakonisht në këto zona, vaktet e darkës konsumohen vonë dhe më pas ndiqen nga një ritual shumë i dashur për spanjollët, konsumimi i një gote vere.
Më pas, vizita vazhdon në dy vendet e tjera të Trashëgimisë Botërore UNESCO, lagjja historike dhe Xhamia-Katedrale. Xhamia-Katedrale, e mbrojtur që nga viti 1984, u ndërtua midis vitit 784 dhe 786 si një xhami, por u shndërrua si katedrale në shekullin e 13-të, kur të krishterët erdhën në qytet. Struktura e shtrirë, me përmasa rreth 250 000 metra katrorë, është një ndërthurje e mrekullueshme e arkitekturës me mbishkrime dhe motive arabe. Atraksioneve të mbrojtura nga UNESCO iu shtohet një sinagogë e shekullit të 14-të, Alcazar; një kështjellë që daton që nga kohërat e pushtimit arab, dhe një numër i madh kishash, kryesisht të shekullit XIII dhe XIV.
Pjesë e UNESCO-s, janë dhe festivalet Patios, njohur si festivali që kremton ardhjen e pranverës, e ndaj njihet për shtëpitë e mbushura me lule, gjatë kësaj periudhe. Karafilat, trëndafilat dhe barbarozat janë më të zakonshme, por çdo oborr është i zbukuruar në mënyrë unike.
Këto janë pak nga gjërat që ofron një qytet historik si ai i Kordobës, ku ndërthuret kultura orientale e trashëguar nga pushtimi arab, me atë perëndimor vendas, çka e bën padyshim një destinacion përrallor për t’u vizituar, në çdo kohë./ KultPlus.com