31 Gusht, 2021 - 7:30 pm
Qyteti i dytë më i madh i rajonit të njohur të Puglia-s, Taranto, i njohur ndryshe si “Città dei due mari”, ose “Qyteti i dy deteve”, po kthehet në një atraksion turistik, falë edhe trashëgimisë së tij që daton që nga koha e spartanëve, të cilët e themeluan atë në shekullin e XVIII p.e.s. Qytetit shpesh i referohen si kryeqyteti i Magna Grecia-s së lashtë dhe në të shihen ende gjurmët e kulturës antike greke.
Megjithatë, Taranto u bë i njohur rreth viteve ‘60 për fabrikat e çelikut, asokohe ndër më të mëdhatë në Evropë. Për një kohë të gjatë qyteti u bë një vatër e ndotjes së madhe mjedisore, çka dëmtoi rëndë shëndetin e banorëve, ekosistemin dhe sigurisht, turizmin. Kohët e fundit, qyteti po përpiqet të lë pas të shkuarën e errët dhe të investojë më shumë për të rikthyer identitetin e vjetër, të një historie 2500-vjeçare.
Projekti i ri i rimëkëmbjes së qytetit, përfshin sipas kryetarit të bashkisë, Rinaldo Melucci, një ndërtesë moderne në qendër të qytetit, një galeri të re arti, një bibliotekë, objekte arsimore, si dhe restaurimin e qytetit të vjetër, me dhomat nëntokësore dhe asete të tjera të fshehura. Kjo zonë e vjetër pritet të shpalosë një sërë objektesh e materialesh që datojnë që nga tempujt e lashtë dhe më pas nga qyteti mesjetar, deri në vitin 1800 pas Krishtit.
Gjithsesi, gjëja më kryesore për të ringjallur “Qytetin e dy deteve”, për kryetarin e bashkisë është natyra dhe uji që e rrethon. “Për Taranton unë shoh detin dhe vetëm detin. Cilado qoftë pyetja, përgjigjja është deti, sepse deti është ADN-ja jonë, ka qenë pasuria jonë, ushqimi ynë, shëndeti ynë, lojërat e fëmijëve tanë të vegjël dhe ndoshta do të jetë e ardhmja jonë.”./KultPlus.com