Qyteti mesjetar i Sardës, destinacion turistik mbresëlënës

5 Mars, 2025 - 9:55 am

Vetëm 10 km nga Shkodra, në ishullin e Shurdhahut, ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi, në rrjetet sociale, pamje të ishullit me rrënojat mbresëlënëse të qytetit antik. Sarda ishte një qendër e rëndësishme e mesjetës së hershme, që nga shek. XI-XII pati kulmin e zhvillimit. Falë kërkimeve arkeologjike të viteve të fundit, ky vendbanim po zbulohet gjithnjë e më shumë, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas dhe të huaj.

Ministri Gonxhja tha se, ky sezon veror premton zbulime të reja në Sardën mesjetare.

Qyteti mesjetar Sarda, i shpallur Monument Kulture, Kategoria I, në vitin 1967, ngrihej mbi një kodër shkëmbore në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 10 km në jug të qytetit të Shkodrës. Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull.

Tashmë për të shkuar atje, duhet një mjet lundrues. Lundrimi në drejtim të Sardës kalon në gjelbërimin dhe historinë mahnitëse të kësaj zone që pjesa më e madhe është mbuluar nga uji i liqenit.

Sarda përmendet që në shek. IX si seli Ipeshkvnore dhe qendër e Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e Drinit, nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Sarda përbri Drinit shërbente dhe si një pikë ndërlidhëse e rrugëve antike që lidhnin Shkodrën me qytete si Gjakova e Prizreni./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme