Qyteza britanike që frymëzoi Lojërat Olimpike

1 Gusht, 2021 - 11:00 pm

Një qytet në dukje i vogël britanik ngërthen në vete një histori të artë sportive. Lojërat Olimpike të Wenlockut, të mbajtura për herë të parë më 1850, kanë ndihmuar që t’u vihen themelet Lojërave të sotme Olimpike.

I frymëzuar nga grekët antikë, mjeku i qytetit William Penny Brookes e kishte nisur punën në shekullin e 19-të, me qëllim që t’i trimëronte njerëzit të merren me aktivitete fizike.

Mac Bardsley, kryetar i Shoqatës Olimpike të Wenlockut, ka folur për nismën që e kishte marrë mjeku.

“E dinte se shëndeti i popullsisë nuk ishte siç duhej të ishte. Andaj, duke u hamendur se çfarë mund të bënte, kishte vendosur se do të ishte mirë që qytetarët të mbaheshin në formë të mirë fizikisht. Kishte punuar me fëmijët, por donte të bënte diçka edhe për të rriturit, kështu që i lindi ideja që të organizoheshin gara sportive dhe nisi t’i nxiste njerëzit që të jenë në formë të mirë, ashtu që të mund të garonin”.

Sipas Shoqatës Olimpike të Wenlockut, Brooksi ka krijuar shumë tradita që mund të shihen sot në Lojërat Olimpike, përfshirë edhe ceremonitë e ndarjes së medaljeve.

Pas organizimit të Lojërave Olimpike në Wenlock gjatë tetorit të 1850-s, ky organ\izim u zgjerua përditë e më shumë.

Kësisoj, Brooksi e rroku vëmendjen e historianit francez, Baron Pierre de Coubertin, që vendosi ta formonte Komitetin Ndërkombëtar Olimpik.

Coubertini e vizitoi Wenlockun në tetorin e 1890-s dhe për nder të tij u organizua me ngut takimi i Lojërave Olimpike të Wenlock.

Arkivisti Chris Cannin nga Shoqata Olimpike e Wenlockut ka folur për ditën e arritjes së Coubertinit në qytet.

“Të gjithë banorët e qytetit dolën në rrugë. Vendosën pankarte e lule çdokund për t’i uruar mirëseardhje Coubertinit. Ai ishte frymëzuar jashtë mase kur pa se sa shumë njerëz merrnin pjesë në aktivitetet atletike dhe artistike, si dhe i pëlqente që ky organizim po bashkonte shumë njerëz. Dhe nga ai çast, e filloi fushatën për ta ringjallur lëvizjen moderne olimpike”.

Kontributi i qytetit në historinë e Lojërave Olimpike ishte nderuar në Lojërat Verore “Londra 2012”, kur një nga maskotat ishte emëruar “Wenlock”.

Brookesi kurrë nuk e përjetoi realizimin e ëndrrës së tij – ai vdiq më 1895, vetëm një vit para se Lojërat Olimpike Verore, të parat në histori, të zhvilloheshin në Athinë më 1896. Ai u varros bashkë me gruan e tij në varrezat e Kishës në Much Wenlock. / KultPlus.com

Të ngjajshme