31 Mars, 2021 - 9:15 am
Komuna e Rahovecit ka vendosur të subvencionojë me nga 200 euro fëmijët e porsalindur në këtë komunë.
Drejtori i Shëndetësisë në Rahovec, Samir Mustafa, ka thënë se është duke u planifikuar që vitin e ardhshme të subvencionohet me nga 500 euro çdo fëmijë i porsalindur.
“E dimë se është shumë simbolike. Shumë stimuluese për nënat e gratë tona që lindin, që të ndihmojmë sadopak në fillim të lindjeve. Është hera e parë që një propozim i tillë miratohet nga Kuvendi Komunal i Rahovecit. Sigurisht se në vitin tjetër, atë 2022, në planifikimet tona buxhetore, këtë kod të subvencioneve do ta rrisim. Fillimisht për këtë vit kemi propozuar si pilot-projekt shumë 200 euro. Nga viti 2022 kemi plan të subvencionohen nga 500 euro të gjitha nënat e gratë tona që lindin. Është stimulim i vogël, por për stimulim të natalitetit vendos Qeveria në nivel nacional”, ka thënë Mustafa në emisionin Sot në KTV.
Sa i përket lindjeve, ai ka thënë se në Komunën e Rahovecit regjistrohen maksimum deri 250 lindje në vit në këtë komunë.
Mustafa ka treguar se procesi i aplikimit për të marrë subvencionin prej 200 euro për fëmijët e porsalindur është i lehtë.
“Është procedurë e lehtë. Me një vërtetim, ekstrat të lindjes me të cilin regjistrohet fëmija dhe një certifikatë të prindërve apo të nënës mund të aplikohet. Vendimi vlen nga muaji prill deri në fund të vitit 2021. Për vitin 2022 do të jetë propozim-vendimi për 500 euro që të subvencionohet secila lindje që ndodh në Komunën e Rahovecit”, ka thënë Mustafa. / KultPlus.com