14 Shtator, 2024 - 7:31 pm
8,5 milionë vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë nga janari deri në gusht të këtij viti, ose 1.3 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i vizitorëve ishte 7.2 milionë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot statistikat mbi turizmin, teksa theksoi se vizitorët e huaj pëfaqësojnë larmishmëri vendesh të origjinës, por gjithmonë e më të shumtë janë edhe turistët nga vendet e largëta dhe jo tipike si Meksika, Brazili, Kanadaja, Zelanda e re dhe Australia, por edhe Azerbajxhani, Kina e Japonia.
“8,5 milionë vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë nga janari deri në gusht të këtij viti, jo vetëm më të shumtë në numër krahasuar me çdo vit të mëparshëm, por edhe me një larmishmëri vendesh të origjinës, ku patjetër vijojnë të konsolidohen tregjet karakteristike, ama gjithmonë e më të shumtë janë edhe turistët nga vendet e largëta dhe jo tipike si Meksika, Brazili, Kanadaja, Zelanda e re dhe Australia, por edhe Azerbajxhani, Kina e Japonia”, u shpreh Rama.
Rama tha se, shifrat në rritje përkthehen edhe në një super-promovim për Shqipërinë, ndërsa viti turistik ende vijon me grupe të tëra që shijojnë atraksionet nga veriu në jug, nga Alpet deri në sitet e kulturës.
“Viti turistik ende vijon me grupe të tëra që shijojnë atraksionet nga veriu në jug, nga alpet deri në sitet e kulturës, kalatë historike e qytetet UNESCO, pa harruar ushqimin fantastik që s’ka të krahasuar dhe mikpritjen shqiptare të hotelierëve që na bën krenarë”, shkroi Kryeministri Rama në rrjete sociale./atsh/ KultPlus.com