Rama: 800 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura në muajt e parë 2024

14 Qershor, 2024 - 11:31 am

Parku natyror Korab-Koritnik po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas e të huaj.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet e parkut natyror Korab – Koritnik, një prej perlave të zonave tona të mbrojtura, që në muajt e parë të vitit kanë pritur plot 800 mijë vizitorë.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë.

Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme