27 Prill, 2024 - 6:00 pm
Agroturizmi “Max Mavrud” në Leskovik është një tjetër investim i ngritur me ndihmën e qeverisë përmes programeve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo pikë agroturistike, ku shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur.
“Bukuritë magjepsëse mes maleve të Leskovikut, ku agroturizmi Max Mavrud është kthyer në një destinacion i shumëkërkuar”, shkruan Rama.
Agroturizëm “Max Mavrud” në Leskovik është një destinacion ku mund të shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur e malësisë së jugut të Shqipërisë.
Një sipërmarrje private e nisur në vitin 2010 dhe e ndihmuar nga qeveria përmes programeve të AZHBR, kjo kantinë prodhon një ndër verërat e mira shqiptare, me 16 hektarë vreshta mbjellë në një terren malor, të harmonizuar nga një kombinim varietetesh të rrushit Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.
Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një model të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.
Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/ KultPlus.com