Rama: Atraksionet kulturore në funksion të nxitjes së turizmit, ndërtojmë Muzeun Etnografik në Shkodër

26 Mars, 2025 - 7:00 pm

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal sot te projektet transformuese që synojnë nxitjen e turizmit në Shkodër, ku veçoi projektin për ngritjen e muzeut etnografik.

Në një takim në Shkodër me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigracioni, Rama u shpreh se sfida kryesore mbetet se çfarë duhet të bëhet me atraksionet kulturore.

“Po diskutojmë pjesën e turizmit në qytet. Një pikë tjetër tërheqëse për të rritur fluksin edhe për të pasur kohëzgjatje të qëndrimit, se ajo është sfida kryesore, është edhe çfarë do të bëjmë me atraksionet kulturore”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “Marubi” është një muze i vogël në dimension por që ka luajtur rol.

“Tani kemi dy muzeume të tjera dhe pastaj, Muzeun e Kujtesës, i cili nga ‘dyqan Vodafon’ që kishin bërë për të persekutuarit, po transformohet në një muze vërtet europian. Projektin e prezantuam këtu është shumë i bukur dhe tani do të fillojmë detajimin e projektit”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “tek projekti i hyrjes së Shkodrës është edhe Muzeu i Lundrimit, edhe ai i financuar dhe do të ndërtohet në këtë proces”.

“Qershia mbi tortë është ideja për muzeun etnografik, që do të jetë jo vetëm i kostumeve, por edhe i objekteve, i gjithë këtyre sendeve të çmuara që do e bëjnë një supermuze”, shtoi Rama./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme