27 Mars, 2025 - 11:20 pm
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine e Francës performuan pak ditë më parë në një nga kishat më të vjetra franceze, kishën Val De Grace, në Paris.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo natë speciale që solli një bashkim unik mes dy kulturave.
“Mbrëmje të paqtë me këtë moment krenarie. Një natë speciale në zemër të Parisit ku Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine sollën një bashkim unik mes dy kulturave përmes muzikës së luajtur nga shërbëtorët e dy shteteve nën uniformë, të cilët bashkuan në një hapësirë mjeshtërinë e Kujtim Laros dhe magjinë e Georges Bizet”, u shpreh Rama.
Eventi ishte me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kitaristit francez, Emmanuel Rossfelder, solist i njohur ndërkombëtar.
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine përcollën për publikun një përzgjedhjeje të larmishme repertori nga të dyja vendet./atsh/KultPlus.com