1 Nëntor, 2024 - 8:59 am
Rikualifikimi urban i vijës bregdetare Vlorë-Rradhimë-Orikum, ose Lungomare 3, ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme zbatimi, e cila vijon në të gjitha lotet me një sërë ndërhyrjesh themelore që rikompozojnë tërësisht zonën bregdetare, ku do t’i jepet përparësi pushuesit.
Kryeministri Edi Rama teksa publikoi pamje të kantierit të punës në këtë vepër, bëri të ditur se ka nisur puna edhe për hartimin e projektit të Lungomare 4.
Rama vuri në dukje se edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur.
“Lungomare 3 po merr formë nga Tuneli i Ujit të Ftohtë përtej Radhimës, ndërkohë që punojmë me projektin e Lungomare 4, ku edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur”, u shpreh kryeministri Rama.
Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe zgjerimi i plazheve përmes moleve të vendosura si infrastrukturë për varkat dhe për pushuesit, si dhe rikualifikimi i godinave përreth në bashkëpunim me pronarët private.
Shëtitorja e parashikuar në këtë projekt është 5 metra e gjerë, kryesisht e gjelbëruar, me pemë të përshtatura me klimën e zonës si pisha, palma, agrume etj./atsh/KultPlus.com