12 Nëntor, 2023 - 9:00 pm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se ka biseduar me kryeshefin ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahun, nga i cili tha se ka marrë informacionin se cilësia e ujit është përmirësuar dhe do të mund të përdoret për t’u pirë “brenda pak ditësh”.
Rama iu kërkoi qytetarëve që të kenë “edhe pak durim”, ndonëse tha se e kupton shqetësimin e tyre.
“Të dashur qytetarë, Sapo bisedova në telefon me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahun, i cili më informoi se cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe brenda pak ditësh do të mund ta përdorim për pije”, shkroi Rama.
“Ju lutem të keni edhe pak durim, ndonëse e kuptoj shqetësimin që ju keni, sepse z.Fetahu më siguroi që shpejt mund ta konsumojmë ujin sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa procedura të nevojshme që më pas ta përdorim ujin lirshëm për pije”, shtoi kryetari i Prishtinës./ KultPlus.com