25 Tetor, 2024 - 5:00 pm
Pas ndërtimit të rrugës fshatrat që shtrihen në Lumin e Vlorës kanë nisur të hapin bujtinat e para për të pritur turistët e huaj, të cilët në këto ditë vjeshte po ngjiten në malet ende të paeksploruara të kësaj zone.
E kthyer në një prej akseve turistike më panoramike të Shqipërisë përgjatë kësaj rruge mund të arrish edhe në fshatin Bashaj të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bujtina e parë e hapur në fshatin Bashaj, ku përditë po shtohen turistët që kanë kuriozitet për të vizituar këtë zonë gjatë stinës së vjeshtës.
“Në këta muaj të artë vjeshte, me thjeshtësinë e një shtëpie mikpritëse të kuruar me kujdes, rrethuar nga bukuritë e pangjashme të natyrës, në bujtinën e parë të fshatit Bashaj në Lumin e Vlorës, po shtohen përditë turistët e huaj që duan të njohin historinë, traditën dhe shijen autentike të produkteve e kuzhinës vendase”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “turistët për ta shijuar të plotë këtë përvojë, po gatuajnë e po shëtisin bashkë me të zotët e shtëpisë. Kujtimet që marrin me vete, prej këtyre maleve ende të paeksploruar janë unike”.
Vitet e fundit turizmi rural në fshatrat e Vlorës ka shënuar një zhvillim të menjëhershëm duke tërhequr vizitorë të pasionuar pas natyrës, historisë dhe traditave. Turistët gjatë qëndrimit të tyre vlerësojnë shijen e mirë të mikpritjes familjare, ajrin e maleve dhe kulinarinë fantastike të fshatrave pranë Lumit të Vlorës.
Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhjen e më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40 mijë banorë me qytetin e Vlorës. Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, kjo rrugë lidh Vlorën me Himarën dhe krijon akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut./atsh/KultPlus.com