6 Maj, 2022 - 1:03 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se Kosova së shpejti do të ketë një institucion të ri, atë të Muzeut të Artit Bashkëkohor, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Në një intervistë për KultPlus, Çeku deklaroi se janë në fillet e para konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.
“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.
Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pohuar për KultPlus se ekziton një bashkëpunim i mirëfilltë me Ministrinë e Kulturës dhe ata po punojnë së bashku në Muzeun e Artit Bashkëkohor.
“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.
Komuna e Prishtinës së fundmi ka marrë vendim për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit prapa Pallatit të Rinisë. /KultPlus.com