19 Mars, 2024 - 12:35 pm
Kryeministri Edi Rama siguroi sot se qeveria do ta shqyrtojë aplikimin për investimin në ishullin e Sazanit në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin do të negociohet pjesëmarrja e shtetit në atë investim.
Në një prononcim për medie nga selia e PS-së, Rama nënvizoi se ideja e një projekti në Sazan ka lindur përpara sesa ai të bëhej kryeministër.
“Unë flas për fakte. Di që sot kemi në tavolinë një ofertë fantastike me një potencial të jashtëzakonshëm, të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit. Ne do ta shqyrtojmë si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar, që nuk negociojnë interesa personale, por negociojnë interesat e publikut në çdo hap, siç kemi bërë në portin e Durrësit, ku publiku është pjesë përmes shtetit shqiptar”, tha ai.
I pyetur se çfarë fitojnë shqiptarët nga ky proces, Rama tha se “shqiptarët nga gjithçka ne po bëjmë po fitojnë në këtë proces dhe do të fitojnë atë që nuk imagjinohej deri para pak viteve.
Sipas kryeministrit, “nxitja dhe realizimi i këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët dhe rrit ekonominë e Shqipërisë”.
“Turizmi është një industri që stimulon zinxhirin e prodhimit. Të huajt që vizitojnë Shqipërinë për të pushuar konsumojnë këtu çfarë prodhojnë bujqit dhe fermerët dhe çfarë ju ofrojnë ata që janë në shërbim. Konsumojnë ato që gjithë zinxhiri i shërbimeve krijon. Shqipëria sot për fatin e mirë të të gjithëve dhe fatin e keq të mendjeve të sëmura është komplet një vend tjetër. Sot ne diskutojmë për një projekt dhe propozim që para disa vitesh do të ishte i paimagjinueshëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot ne diskutojmë për ekselencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri.
“Sot ne diskutojmë për një Shqipëri e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejt e atyre që janë ‘luanët’ e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull nga Kroacia, Mali i Zi dhe deri te Greqia”, tha Rama./ atsh / KultPlus.com