3 Prill, 2022 - 1:15 pm
15 konkurrentë, nga katër kontinente të ndryshme garuan në Tiranë, në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua nga 28-30 mars.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga shpallja e çmimeve të këtij festivali, i cili u zhvillua në Teatrin e Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Mirëmëngjes dhe me atmosferën që Edicioni XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, krijoi në Teatrin e Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ju uroj një të diel të paqme”, tha Rama.
Sopranoja shqiptaro-gjermane Carolina Lopez Moreno u shpall fituese e çmimit të parë të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua në Teatrin e Operës dhe Baletit nga 28-30 mars.
Juria e përbërë nga drejtorët e përgjithshëm të disa teatrove europiane, kryesuar nga Presidentja e Opera Europa, Anna Maria Meo, vlerësoi me çmime 4 konkurrentë mes 15 konkurrentëve pjesëmarrës.
Me çmimin e dytë u vlerësua baritoni Samueol Park, nga Koreja e Jugut, me çmimin e tretë sopranoja Yulia Merkudinova nga Ukraina, e cila fitoi edhe çmimin e këngës.
Çmimi i parë ju dorëzua në skenë sopranos fituese nga kryetari i bashkisë së Tiranës.
Festivali që i ka dedikuar një moment të veçantë ngjarjeve në Ukrainë, i dha çmimin e tretë sopranos Yulia Merkudinova, e cila ishte po ashtu e përzgjedhura e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit për çmimin e orkestrës.
Krahas interpretimit të arieve të njohura ndërkombëtare e shqiptare nën drejtimin e dirigjentit Martin Andre, nuk munguan as notat e spektaklit dhe baletit.
Në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, morën pjesë 15 konkurrentë, nga katër kontinente./atsh/ KultPlus.com