12 Mars, 2021 - 9:07 pm
Në Shqipëri, këtë të diel në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga Astrazeneca.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në muajin prill, pritet të vijnë 60 mijë doza të tjera vaksinash, po nga Astrazeneca.
Ai ka theksuar se disa nga shkollat do të kthehen në pika të qendrave të vaksinimit në të gjithë vendin. Ndërsa nga Pfizer, pritet të vijnë edhe 30 mijë doza të tjera.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nga nesër do të lidhen kontaktet me autoritete në Kosovë që mjekët të shkojnë të vaksinohen në Kukës.
“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill.
“Ndërkohë që, jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh Rama. /tch/ KultPlus.com