25 Mars, 2025 - 2:08 pm
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi të apasionuarit pas kinematografisë shqiptare të ndjekin versionin e restauruar të filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Kryeministri ka ndarë edhe linkun e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku mund të ndiqet filmi i plotë në cilësinë 4K.
“58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967) me regji të Gëzim Erebara dhe Piro Milkani.
Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit”, shkruan kryeminitri Rama në rrjetet sociale.
Premiera e filmit të restauruar do të bëhet sonte, në kinema Millennium.
Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri./atsh/KultPlus.com