11 Gusht, 2024 - 7:36 pm
Turizmi po merr hov edhe në Peshtan, tek Gryka e Këlcyrës (Përmet), ku turistët kanë nisur të eksplorojnë natyrën e bukur përmes sportit të rafting.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, e njohur ndryshe si parajsa e një mijë e një burimeve, që zbresin nga mali i Trebeshinës e derdhen në Vjosë, që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.
“Në Grykën e Këlcyrës – Peshtan, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting, sjell enkas çdo javë grupe nga Britania e Madhe, po mikpret edhe të tjerë të bashkohen për një eksperiencë të paharrueshme”, shkroi Rama.
Peshtani është pjesë e programit “100 fshatrat” dhe investimet në vepra publike në infrastrukturë e mjedis, paralelisht me ato private, kanë krijuar modelin ekonomik të integruar agroturistik me impakt në zhvillimit rural.
Peshtani ndodhet 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty ku bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror.
Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.
Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.
Një tjetër sport i pëlqyer nga vizitorët dhe turistët në këtë zonë është ngjitja në mal. Nga Peshtani ekziston një shteg malor që përshkruhet me kalë i cili të fut në Luginën e Zagories dhe del në malin e Çajupit.
Rruga përshkon një territor prej 20 km plot me pyje lisi, bredhi, bliri dhe ujëra pafund, në një zonë tërësisht të paprekur.