12 Qershor, 2024 - 4:11 pm
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të kalendarit turistik veror TEA 2.0.
Duke folur për portet turistike që po ndërtohen, Rama tha se, “jemi një vend që trashëguam një situatë prej vrime të zezë në Mesdhe dhe një vend që praktikisht nuk figuronte fare në hartën e lundrimit turistik të Mesdheut”.
“Ka filluar puna për portin turistik të Durrësit. Ka filluar puna për portin turistik të Vlorës. Jemi në pritje të përfundimit të një absurdi lidhur me Limionin e Sarandës. Një absurd i natyrës, le të themi juridike, por në fakt s’është i tillë, është shumë më pranë letërsisë surrealiste, sesa letërsisë juridike dhe jemi shumë shumë optimistë që me hapjen e këtij komponenti të sektori që janë portet turistike, kuadri do të jetë, jo vetëm tërësisht i plotësuar, por njëkohësisht do të kemi një rritje shumë të ndjeshme, jo thjesht të numrit të vizitorëve, sepse nuk është numri i vizitorëve ai që na intereson në mënyrë ekskluzive, po të ardhurave nga këta vizitorë”, theksoi Rama.
“Rritja e përmuajshme e numrit të kontratave për hotelet me 5 yje është po ashtu shumë domethënëse. Këtu janë disa nga aktorët kryesorë të sektorit dhe e dinë shumë mirë që deri përpara disa vitesh 5 yjet nuk i afroheshin fare idesë se mund të vinin në Shqipëri. Ndërkohë që sot është bërë fare e thjeshtë për t’i atraktuar, kuptohet, me projektet dhe me destinacionet e nevojshme”, u shpreh Rama.
“Thënë të gjitha këto, qershia mbi tortë është Tirana, e cila deri përpara disa vitesh ishte një kryeqytet që zbrazej tërësisht në verë, ose më saktë që banohej vetëm nga ata që duhet të jenë këtu për të kryer shërbime të caktuara në punë të caktuara, apo nga ata që e kanë të pamundur të largohen për pushime, ndërkohë që sot Tirana rritet në numër në sezonin e verës, për shkak të rritjes së numrit të turistëve”, nënvizoi Rama.
Dhe, shtoi Rama, “nëse do të na e tregonin disa vite më parë publikimin e Mastercard-it të para pak javëve, që është një publikim që lidhet me përdoruesit e Mastercard-it, ku Tirana ishte vendi i tretë me rritjen më të lartë të turistëve për këtë vit në komunitetin e përdoruesve të Mastercard-it, ne do thoshim që kjo është një shaka shumë përqeshëse. Por ja që edhe kjo sot është një realitet”./atsh/KultPlus.com