30 Nëntor, 2024 - 11:00 pm
Qeveria ka një projekt për një institut për fëmijët në konflikt me ligji, një model demokratik i shkollës së riedukimit. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë një takimi këshillues me prindër për kufizimin e rrjeteve si Tik Tok, në shkollën “Janaq Kilica” në Fier.
Sipas kreut të qeverisë ky është një program që mbështetet shumë edhe nga Bashkimi Europian. Rama tha se nuk është burg, por një institut që ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë.
“Kemi përfunduar një projekt për një institut të fëmijëve në konflikt me ligjin, është një model demokratik i shkollës së riedukimit, sepse ato sistemet e riedukimit kanë problematikën e tyre. Unë personalisht i kam parë gjithmonë me skepticizëm, se duket sikur në fakt i çon në një shkollë që të dalin më të shkolluar për të bërë atë, për të cilën t’i në fakt i çove, që ata mos e bëjnë më.
Por ky është një program që e mbështet shumë Bashkimi Europian, është një model i ri institutesh i fëmijëve që janë në konflikt me ligjin, që do të thotë fëmijë minorenë, të cilët kryejnë vepra penale të lehta ose të rënda, që në rast se do të kishin mbushur moshën të shkojnë në burg, por për shkak se janë nën moshë nuk mund t’i çosh në burg dhe është, nuk është burg, nuk është shkollë vagabondësh. Është një institut ku ka programe të veçanta dhe ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë, që mundësisht çfarë ka ndodhur të mos jetë një traumë, që pastaj thellohet dhe sa më shumë rriten, aq më shumë futen në atë rrugë të gabuar”, tha Rama.
Rama theksoi se numrin e fëmijëve në konflikt me ligjin “e kemi shumë më të ulët sesa shumë vende të tjera të zhvilluara, në raport me numrin e përgjithshëm, që ta dini.
“Është diçka, që fatmirësisht e kemi sot, mund të mos ndodhi kështu nëse këto situata me këto media që krimi, krimi, krimi, krimi e kanë në ‘majë të gjuhës‘ dhe me këto rrjete sociale nuk e përshkallëzojnë këtë influencë, por nuk e kemi të lartë numrin, në raport me numrin e përgjithshëm të nxënësve, të fëmijëve,të miturve në konflikt me ligjin. Fatmirësisht, tani për tani”, u shpreh Rama. /KultPlus.com