1 Korrik, 2022 - 2:37 pm
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se legalizimi i kanabisit mjekësor do të bëhet, pasi kështu kanë dashur shqiptarët që janë pyetur në këshillimin kombëtar.
Në përgjigje të pyetjes së gazetares së Abc News, Erneta Shevroja, Rama nuk kurseu ironinë me opozitën, për të cilën tha se nuk ekziston.
Rama u pyet se kush do të mbaje përgjegjësi nëse vendi kanabizohet me legalizimin e kanabisit, siç kanë qenë edhe akuzat e fundit të opozitës, dhe tha se do të pyesin sërish nëse do të bëhet edhe legalizimi për përdorim personal
“Ka opozitë akoma këtu? Sa mirë do ishte të kishte opoiztë por, nuk ka. Opozita e vetme e kualifikueshme si e tillë e jona jemi ne vetë. Sikur opozita e tërë, që quhet opozitë, të kishte gjysmën e energjisë dhe çerekun e vullnetit mund të merrte një licencë kualifikimi si opozitë. Shikoje se ça thonë. Ajo që unë po them, që për legalizimin e kanabisit mjekësor ne jemi konsultuar me shqiptarët në këshillimin kombëtar. Legalizimi i kanabisit do bëhet. Do pyesim dhe a doni të legalizohet përdorimi personal i kanabisit apo duhet të vazhdojë të jetë krim që dënohet. Do t’i pyesim, nëse do thonë po do e bëjmë sepse kemi një dilemë për këtë gjë. Po t’ju hap mendjen dhe zemrën jam i dyjëzuar në këtë pikë. Prandaj është këshillimi kombëtar. Amnistinë fiskale e njëjta gjë, shqiptarët kanë thënë masivisht po. Nuk kemi pse hyjmë në këto spirale helmi, çdo gjë që bën njeriu ka të mirat dhe të metat, s’mund të rrimë pa bërë asgjë që mos të marrim baltë dhe akuza. Siç thioshte edhe Loro Boriçi: “Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë”, tha Rama.
Kryeministri u pyet gjithashtu nëse BE është më e shëndetshme pas një jave, me sinjale që tregojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pyetje e cila sipas tij ishte joserioze.
“Pyetja tjetër m’u duk humor nga ana juaj, s’mu duk serioze. Mbas një jave ti që bën pyetjen je më e vetëdijshme që kryeministri yt e mbron siç duhet interesin e vendit tënd në BE”, tha Rama. / KultPlus.com