17 Dhjetor, 2023 - 7:23 pm
Me pasuri të shumta natyrore, mikpritjes së banorëve të zonës, Kolonja po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nëpërmjet zhvillimit të turizmit, jo vetëm në verë, por edhe gjatë stinës së dimrit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Kolonja e mbuluar nga dëbora, një tjetër destinacion për turistët edhe gjatë sezonit të dimrit.
Rama thekson se Kolonja magjike, e bekuar nga natyra dhe e zhvilluar prej potencialit njerëzor, ju mirëpret për këto festa fundviti.
Rrugës për në Kolonjë, që në majën e Qarrit shfaqet përpara pllaja e bukur e kësaj zone.
Natyra e bukur, ushqimet tradicionale, bujtinat karakteristike dhe turizmi malor kanë bërë për vete shumë turistë të huaj.
Ndikim në zhvillimin e agriturizmit në Kolonjë ka dhënë edhe investimet në infrastrukturë, ku nga Korça sot mund të shkosh drejt Ersekës, kryeqendra e Kolonjës, vetëm për 30 minuta.
Malet e Kolonjës si ai i Gramozit mbi 2500 metra mbi nivelin e detit, mali i Shelegurit, Postenani apo Radomi janë destinacione të mrekullueshme për turistët e aventurës./atsh/KultPlus.com