Rama: Kuvendi Kombëtar, pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe

21 Nëntor, 2024 - 3:00 pm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe është pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” Rama u shpreh se, “është e hatashme të përjetosh sesi delirantë dhe injorantë me damkë, për të gjithë ata që vijnë nga betejat për gjuhën shqipe, për të gjithë ata që njohin rrënjët e gjuhës shqipe, për të gjithë ata që jetojnë me respektin e palëkundur për Eqerem Çabejin dhe për të gjithë hapat e hedhur, sot e gjithë ditën proklamojnë gjithfarëlloj tezash ndërkohë që borxhi ynë, borxhi i të gjithëve, borxhi i institucioneve në radhë të parë, bëhet gjithmonë e më i madh dhe duket gjithmonë e më i pashlyeshëm, sepse krahas këtyre zërave, që do të ishin përndryshe për të qeshur, nëse nuk do të jetonim këtë kohë kur barbarizmat në fjalor dhe në sintaksë, nuk do të gjenin shesh për të bërë përshesh dhe hapësirat e paana të rrjeteve sociale na bën që të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar”.

Fatkeqësisht, shtoi Rama, “është e pamundur të jemi në sulm sepse furia e të gjithë kësaj barbarie dhe gjithë kësaj injorance dhe gjithë këtyre delireve është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat”.

Por, vijoi kreu i qeverisë, “që të rezistojmë e kemi të domosdoshme dhe edhe ky Kuvend është pjesë e kësaj rezistence”.

“Sot mungon këtu edhe dikush tjetër, një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe saqë unë besoj që cilido që mund të preket nga dyshimi më i vogël se gjuha shqipe nuk i ka të gjitha kapacitet për t’i thënë të gjithë në 1001 mënyra, mjafton që t’i referohet faqeve të shkruara prej tij, Ismail Kadareja

“E kujtoj vazhdimisht në ato biseda që kam pasur fatin të kem me të sesa ankth kishte nga sulmet që i bëhen gjuhës shqipe”, tha Rama.

Kryeministri solli edhe një thënie të tij me vargjet e Ismail Kadaresë. “Kur panë se gjuhës s’i hodhën dot prangat lëshuan drejt saj gjithfarë merimangash, parashtesa e pjesëza e lidhësa së prapthi të bukurën gjuhë ta bënin lesh arapi”./ KultPlus.com

Të ngjajshme