26 Gusht, 2024 - 9:00 am
Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.
I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lumë është pa dyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje që tregojnë atmosferën nga Lumi i Shalës, “deri para pak vitesh një sekret, ndërsa sot destinacioni i një buqete fantastike përvojash”.
Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.
Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.
Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./atsh/KultPlus.com