Rama: Maskat veneciane të prodhuara në Shkodër, pjesë e artikullit në “The Guardian”

27 Janar, 2025 - 4:20 pm

Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të “The Guardian”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar në “The Guardian”, ku pasqyrohet prodhimi i maskave veneciane në Shkodër.

“Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të ‘’The Guardian’’, ku përmendet Shkodra si qyteti që jo vetëm e ka mirëpritur traditën e Karnavaleve çdo 20-22 mars, por dhe është kthyer në furnizues kryesor prej vitit 1996, me më shumë se 20 000 maska në vit të punuara më dorë”, shkruan Rama.

Maskat veneciane prodhohen në një atelie në Shkodër, ku artistët pikturojnë dhe dekorojnë me dorë dhjetëra mijëra maska veneciane, që pjesëmarrësit e festivaleve duan t’i mbajnë gjatë gjithë sezonit të karnavaleve në mbarë botën.

Atelieja përbëhet edhe nga një sallë ekspozite, ku vizitorët mund të admirojnë modelet e luksit të dekoruara me flori apo argjend, të zbukuruara me pendë, kristale Swarovski, perla. Ekspozita konsiderohet një atraksion shtesë për turistët e huaj që vijnë të vizitojnë Shkodrën, “Venecian e Shqipërisë”, e famshme për liqenin dhe kalanë e saj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme