Rama: Monumenti i Skënderbeut edhe në Paris

9 Mars, 2025 - 7:30 pm

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se një kopje e monumentit të Skënderbeut në Tiranë do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.

Kryeministri iu përgjigj aludimeve të fundit që janë ngritur mbi faktin se monumenti i Skënderbeut në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë është rrethuar me skela.

“Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për ‘psenë’ e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Sipas tij, arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast.

“Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris. Po po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e vet”, bëri të ditur kryeministri.

Rama theksoi se pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.

“Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër për të më akuzuar”, shtoi kryeministri./ KultPlus.com

Të ngjajshme