10 Shtator, 2024 - 11:38 am
Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973, vijon të tërheqë vizitorë të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë muze.
“Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë është një nga asetet e trashëgimisë kulturore dhe historike më të vizituara këto ditë nga turistët e huaj, aty ku 134 vite më parë u hap shkolla e parë e gjuhës shqipe”, theksoi Rama.
Rama tha se “e njohur për turizëm gjithëvjetor, Korça prezanton ofertën më të mirë turistike, në kulturë, histori, e peizazhe të mrekullueshme të natyrës”.
Ndërtesa e muzeut ka qenë shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (“Evetari”, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.
Pas restaurimit në sajë të një investimi të qeverisë shqiptare ky muze po tërheq më shumë vizitorë./atsh/KultPlus.com