Rama ndan pamje nga atraksionet e Dibrës: Natyra ka skalitur thesare të relievit malor

8 Dhjetor, 2024 - 4:30 pm

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atraksionet e Dibrës.

Kreu i qeverisë u shpreh se në Dibër natyra ka skalitur thesare të relievit malor.

Maja e bardhë e Korabit që është fillimi i konturit të peizazhit të Dibrës që ceket në krye të telajos natyrore, për të vijuar me linjat gjarpëruese të Drinit të Zi e bëjnë këtë trevë një kryevepër natyrore për turistët.

Turistët magjepsen pas Korabit për bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu, duke ndjekur Drinin e Zi.

Korabi është mali më i lartë në Shqipëri. I përshtatshëm për ecje malore duke filluar nga maja e Korabit, fshati turistik i Radomirës, fusha e Korabit dhe në bjeshkën e Gramës, stanet e Kaloshëve, në Rabdishtin turistik, me Hinosken e shtëpitë pritëse të Fidallarëve dhe nëpër Valivar në malin e Kërcinit dhe shumë atraksione natyrore dhe kulturore në zonën e Maqellarës.

Ujëvara në bjeshkë e Tanushës

Ujëvara në bjeshkët e Tanushës ndodhet pas malit të Zimurit dhe Skertecit në zonën e Rekës së Maqedonisë  së Veriut, shumë afër fshatrave të Zagradit, Cerjanit dhe Rabdishtit, pjesë e shtigjeve turistike të vargmalit të Korabit.

Drini i Zi

Drini i Zi, së bashku me luginat e mëdha përreth, është një zonë jashtëzakonisht e bukur e Shqipërisë, e cila kryesisht mbetet për t’u eksploruar.

Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe kalon nëpër qarkun e Dibrës deri në qytetin e Kukësit, në kufirin shqiptar.

Aty ai bashkohet me Drinin e Bardhë dhe dy lumenjtë bëhen një, duke formuar lumin Drin, i cili derdhet në Adriatik.

Në pikën ku lumi kapriçioz nuk mund të ndjekë rrjedhën e tij natyrore, vizitori ka shansin të shijojë plotësisht atë dhe peizazhin e tij të mrekullueshëm përreth.

Këtu, aventurierët kanë mundësinë për të çarë me traget në shtratin e gjerë të lumit Drin. Aktualisht, si rezultat i kësaj hapësire të gjerë, rafting në këtë vend të veçantë është i sigurt dhe vështirë se lodh, duke e bërë atë një vend ideal për të komunikuar me natyrën, duke shijuar këtë sport të këndshëm ujor.

Derisa hyn në Shqipëri, Drini i Zi ndahet në dy degë të mëdha të dallueshme që rrjedhin përgjatë periferi të Dibrës, rrethin më të afërt të këtij lumi. Vendasit e Peshkopisë janë me fat që i kanë themelet e qytetit të tyre në brigjet e këtij lumi.

Në të vërtetë, Drini i Zi ka qenë bujar për këtë popullsi, pasi, përgjatë luginave të këtij rajoni, ku rrjedha e lumit ulet, Drini i Zi kthehet në një plazh të mrekullueshëm. Si i tillë, gjatë sezonit të verës, vendasit gëzojnë këtë oaz plazhi të krijuar nga lumi. Në Fushë-Muhurr, ju mund të gjeni plazh me të njëjtin emër, që ndodhet vetëm 25 minuta larg nga Peshkopia.

Çfarë tjetër e bën këtë lumë edhe më tërheqës? Entuziastët e peshkimit lokal do t’ju tregojnë se ata mund të kalojnë orë pafund duke peshkuar në ujërat e Drinit të Zi.

Ndër llojet e peshkut, më të njohurit këtu, janë krapi, trofta dhe ngjala. Përpara se të niseni në eksplorimin tuaj të Drinit të Zi, duhet të ndaleni nga ndonjë nga qendrat e informacionit turistik në Peshkopi për të marrë udhëzues praktikë nga shumë atraksione të njohura në natyrë dhe destinacione të këtij rajoni të bukur.

Në anën tjetër, Korbi sheh malin e Dejës që është nga malet e mesme më të larta në vend, shqyhet për bukuri të rrallë natyrore dhe shoqërohet për jetë nga mali i Runjës, Fusha e Pelave dhe Lura që ndjekë vargmalin e saj me mrekullitë natyrore të liqeve të saj të rrallë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme