10 Gusht, 2024 - 12:30 pm
Rritja e numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri ka rritur ndjeshëm interesin edhe ndaj trashëgimisë kulturore të vendit.
Kalaja e Gjirokastrës është një prej këtyre destinacioneve që tërheqin gjithnjë e më shumë tursitët e huaj, falë vlerave historike dhe arkitekturore. Ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kalaja e Gjirokastrës që çdo ditë vizitohet nga turistë nga e gjithë bota.
Vetëm për muajin korrik numri i turistëve që kanë vizituar kalanë e Gjirokastrës është rritur me 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë.
Në korrik u regjistruan 35,996 vizitorë, ose 4,359 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023 ose 19,358 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit./ KultPlus.com