6 Janar, 2025 - 11:37 pm
Vetëm 2 kilometra në lindje të plazhit të Velipojës, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh, laguna e Vilunit.
Me një natyrë të paprekur dhe me pyjet shekullorë të pishave, laguna e Vilunit është kthyer në destinacion tërheqës për turistët e natyrës, qofshin këta vendas apo të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga buzëmbrëmja në këtë lagunë, e cila rrethohet nga ligatina dhe komunikon me detin përmes një kanali natyror.
Dikur kjo lagunë është quajtur laguna e Lundërzës, sepse ka pasur shumë lundra, një gjitar ujor që ushqehet me peshq.
Laguna është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm, ndaj edhe zgjidhet shpesh për të pasionuarit pas peshkimit.
Me rreth 200 lloje shpendësh migratorë dhe të përhershëm, laguna e Vilunit ofron një peizazh fantastik në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com