Rama ndan pamje nga Mozaiku i restauruar i Tiranës

19 Mars, 2025 - 7:56 pm

Mozaiku i Tiranës, monument kulture i kategorisë I, pas transformimit është kthyer në atraksion për vizitorët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Tiranës.

Restaurimi i mozaikut të Tiranës u konceptua në mënyrë të atillë për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera, duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e motit.

Po ashtu, siti është konceptuar si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët.

Arkeologët thonë se mozaiku është pjesë e një vile romake që në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.

Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian.

Mozaiku i Tiranës është një nga dëshmitë e rralla të ekzistencës së një vile romake ose ndërtese të ngjashme në atë kohë, në zonën e Tiranës./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme