8 Korrik, 2024 - 6:24 pm
Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, edhe këtë sezon veror ka tërhequr një numër të lartë pushuesish.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, ku mund të shijosh detin e pastër, rërën e imët dhe të pasur me jod.
Kjo zonë e pasur me një hapësirë të gjelbër, ofron një kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj.
Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër.
Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Velipoja përfshihet në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe në të do të gjeni edhe rezervatin natyror, i cili kohët e fundit po shihet si një opsion për zhvillimin e turizmit.
Grykëderdhja e Bunës, pjesë e këtij peizazhi, ofron një natyrë të pasur, uji dhe bimësia i japin një panoramë këtij plazhi të vogël që e bëjnë edhe më të veçantë.