Rama ndan pamje nga Thethi i mbuluar me borë

11 Janar, 2025 - 7:24 pm

Thethi është kthyer në një atraksion gjithëvjetor për turistët e huaj, por edhe ato vendas.

Kjo zonë e Shqipërisë së Veriut është mbuluar nga dëbora këtë janar, duke e shndërruar në një pikë referimi për turistët që pëlqejnë zonat e thella malore në dimër për të zhvilluar pasionet e tyre sportive, por edhe për të shijuar edhe magjinë e natyrës në dimër.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale, pamjet nga Thethi i mbuluar me borë kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.

Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme