15 Janar, 2024 - 7:03 pm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ndarë mirënjohje për kameramanin, Sylejman Kllokoqi, i cili më 15 janar 1999, ka xhiruar dhe pasqyruar të vërtetën e Masakrës së Reçakut, në të cilën mbetën të vrarë 45 civil.
Përmes një postimi në facbook kryetari Rama tha se pamjet e Kllokoqit u bënë dëshmi për zbardhjen e të vërtetës para botës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit Rama në facebook:
PËR GUXIMIN, TRIMËRINË, PROFESIONALIZMIN NË PASQYRIMIN E SË VËRTETËS, MIRËNJOHJE PËR KAMERAMANIN SYLEJMAN KLLOKOQI
Më 15 janar 1999, Sylejman Kllokoqi me guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm xhiroi pamjet tronditëse të Masakrës në Reçak të Shtimes, ku 45 civilë u vranë në mënyrë brutale nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Ky akt barbar u dënua ndërkombëtarisht, dhe pamjet e tij u bënë dëshmi e pakundërshtueshme që zbardhi të vërtetën përpara botës.
Realitetin e ashpër në Kosovë, horrorin e krimit mbi njerëzit tanë të pafajshëm e pa me sytë e vetë, ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili përmes pamjeve të xhiruara nga Sylejman Kllokoqi e të transmetuara nga agjencia botërore e lajmeve, Associated Press, i tregoi botës për krimet e rënda ndaj civilëve në Kosovë. Zëri i z.Walker dhe e vërteta e masakrës së Reçakut patën ndikimin e duhur për të ndalur spastrimin etnik që ishte duke iu bërë popullit tonë.
Sylejman Kllokoqi , me punën dhe guximin tënd, ke shkruar një faqe të rëndësishme në historinë tonë./KultPlus.com