Rama ndjek punimet në shkollën “Edith Durham”: Godina e 48 arsimore e Tiranës Europiane, gati më 15 shtator

22 Mars, 2025 - 5:29 pm

Një tjetër shkollë 9-vjeçare në kryeqytet po ringrihet nga themelet, duke shënuar godinën e 48 arsimore të Tiranës që transformohet në një institucion të denjë me standarde europiane.

“Edith Durham”, një nga shkollat me tradita të kryeqytetit do të mirëpresë nxënësit e saj në vitin tjetër shkollor me një infrastrukturë të zgjeruar, që përfshin përveç klasave të dyfishuara edhe terrene të bollshme sportive, bibliotekë, laboratorë mësimorë për çdo lëndë, etj.

Për të inspektuar punimet në kantier ishte sot Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetaren e deleguar të bashkisë Anuela Ristani.

“Shkolla ‘’Edith Durham’’, një nga shkollat më krenari e kryeqytetit, e hapur që në 1945, me rekonstruksion në 2003 dhe që atëherë nuk ishte prekur shtesa sepse ka pasur shumë kërkesa.

Kapaciteti i nxënësve këtu ka qenë shumë i madh, nga 36 nxënës me dy turne. Ajo që bëjmë është që po rindërtohet e gjitha që nga kati -0 që do funksionojë për shërbimet teknike, deri tek 3 nivele, ku kapaciteti i klasave dyfishohet për të njëjtët numër nxënësish, por shmanget tërësisht turni i dytë.

Kjo shkollë funksionoi edhe si rezervë për gjithë rikonstruksionin e “Emin Durakut’’ këtu afër. Ajo që do të ndodhë  është që këtu jemi në dy objektet e para, dhe pastaj do të vijojmë me objektin e tretë që do të krijojë gjithë këtë harkun që ju shikoni. Ajo që është e re, megjithëse numri i nxënësve nuk do të shtohet po të gjithë do të jenë në një turn.” – shpjegoi kryetarja e deleguar e Bashkisë Anuela Ristani – duke iu referuar projektit të shkollës, të ekspozuar në hyrje të kantierit.

Ajo tha ndër të tjera se mjediset e shkollës do të shfrytëzohen edhe për aktivitete të komunitetit në orët e pasdites.

“Numri i laboratorëve dyfishohet. Ka laboratorë çdo temë; laboratori i gjuhëve të huaja, fizikë, kimi, biologji. Ka dy salla polifunksionale për aktivitetet e shkollës, ka hyrje për ata me aftësi të kufizuar në nivelin e parë, ka dhe tualete që shërbejnë për personat me aftësi të kufizuar dhe hyrje në palestër edhe në sallat polifunksionale të nivelit të parë për komunitetin,  kështu që do të shfrytëzohen edhe jashtë orarit të shkollës për aktivitete për komunitetin. Ne kemi programin e “Shkolla në komunitet’’ që bëjmë dhe kurse të fëmijëve po mund të ketë edhe kurse për të rritur dhe aktivitete të tjera përveç palestrës.

Hyrja do të vazhdojë të jetë nga krahu ku është dhe do të lirohet edhe pjesa e oborrit ku ajo barriera do të jetë pak  shumë si shkolla “Sami Frashëri’’ që të mos krijojë mur me trotuarin. Standardet janë për hir të së vërtetës, shumë të mira, duke fillur që nga gjerësia e korridoreve deri tek ndriçimi i klasave. Në këtë shkollë si në asnjë shkollë tjetër kemi edhe ngrohje dhe ftohje kondicionimi. Dhe përveç atyre kemi dhe një sistem poshtë ku ndodhen të gjitha shërbimet; të ujësjellësit, të zjarrfikëseve. Ka 3 shkallë emergjence për daljen e fëmijëve në rast emergjence.

Do të ketë një sallë të veçantë për mësuesit. Do të ketë të gjitha hapësirat e bibliotekës.  Si kjo klasë që po ju tregoj, do të ketë 33 të tilla. Po ta shikoni edhe pamja e klasave sheh nga rruga dhe nga pjesa e oborrit.” – u shpreh Ristani.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani, duke theksuar se duket shumë cilësore

“Këtu paskeni punuar shkëlqyeshëm këtu lart. Është një lloj pune me beton që është spektakolare. Shumë pastër. Është ambicioze shumë. Keni bërë një punë fantastike. Është shumë impresionuese.” – iu drejtua ai ndërtuesve./ KultPlus.com

Të ngjajshme