Rama në Muzeun Arkeologjik: Fondi prej 100 mijë eksponantësh, dëshmi e rrugëtimit tonë mijëravjeçar

24 Janar, 2025 - 7:31 pm

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e Muzeut Arkeologjik, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në kryeqytet, aty ku është i ruajtur një fond prej 100 mijë eksponantësh.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë fond, një dëshmi të patjetërsueshme të rrugëtimit mijëravjeçar të historisë së Shqipërisë.

“Nga thesari i monedhave antike, te fondi kombëtar etnografik, kartotekat gjuhësore të gjuhës shqipe, arkivi i historisë kombëtare i shkruar dhe elektronik, të gjitha dëshmi e gjallë se cilët kemi qenë shekuj më parë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministrin e shoqëruan gjatë vizitës drejtues të Muzeut Arkeologjik të cilët shpjeguan renditjen e të gjithë fondit arkeologjik nga njëri pavijon në tjetrin.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ndaluan edhe në laboratorin i Restaurimit pranë këtij muzeu, ku u njohën me disa nga gjetjet e fundit.

“Një gjetje e fundit është në Babunjë të Lushnjës dhe kjo gjetje pritet të ekspozohet së shpejti. Një kalorës me kalë, që daton në vitin 520, pra 400 vjet para Krishtit, shumë i rëndësishëm në llojin e vet. Kemi edhe një kalorës tjetër që është në muzeun e Olimpias, që tregon një sportist nga Epidamni që ka fituar Lojërat e 66-ta Olimpike, në vitin 566 para Krishtit. Dhe sot, ka një memorial në Olimpia, kushtuar sportistit nga Durrësi”, u shpreh restauratori./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme