19 Nëntor, 2024 - 4:05 pm
Muzeu Arkeologjik i Korçës po i nënshtrohet restaurimit total duke përfshirë dhe rikonceptimin e tij.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se tashmë ka nisur puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës, monument kulture i kategorisë I.
Godina në fjalë ndodhet në brendësi të Qendrës Historike të qytetit të Korçës, dhe mbart vlera të veçanta arkitektonike e tradicionale.
Projekti i restaurimit parashikon restaurimin total të objektit në të gjitha elementet e tij, përforcimin e strukturës dhe restaurimin e elementeve arkitektonikë, si dhe ndriçimin e Muzeut dhe sistemimin e jashtëm.
Më konkretisht, në kuadër të projektit për restaurimin e muzeut do të kryhen ndërhyrje përforcuese në themelet e ndërtesës, si dhe restaurimi i çatisë në tërësinë e elementëve të saj konstruktivë.
Po ashtu parashikohet restaurimi i muraturës prej guri, restaurimi i ndërkateve dhe restaurimi i elementëve drusorë në interier.
Muzeu është një ndërtim 3-katësh me sipërfaqe rreth 140 m2 me oborr të brendshëm./atsh/KultPlus.com