Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bibliotekat shkollore

23 Dhjetor, 2024 - 5:01 pm

 Ministria e Arsimit dhe Sportit ka iniciuar zbatimin e programit për pasurimin e të gjitha bibliotekave të shkollave me libra artistikë.

Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se në këtë prag festash, nuk ka dhuratë më të bukur sesa libri.

Rama thekson se “nga shkolla “Ardian Klosi”, ka nisur shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bibliotekat shkollore në të gjithë vendin, në kuadër të programit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për nxitjen e dashurisë për leximin tek nxënësit”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është shprehur se ky program ka për qëllim promovimin e leximit dhe kultivimin e dashurisë për librin tek nxënësit.

“Janë më shumë se 20 mijë librat që po ndahen në bibliotekat shkollore për të pasuruar, por mbi të gjitha për të nxitur pasionin për leximin dhe për të dhënë ato mesazhe që ne duam të transmetojmë, sidomos në këtë kohë ku kemi një përpjekje të madhe për të nxitur fëmijët dhe nxënësit drejt leximit. Përpos gjithë asaj që na ofron teknologjia, ne jemi këtu për të bërë më të mirën për sa i përket rritjes së dijes, por gjithashtu dhe hapjes së mendjes përmes leximit”, ka nënvizuar Manastirliu./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme