26 Maj, 2024 - 2:23 pm
Kryeministri Edi Rama u nis sot nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit për takimin në Milano me shqiptarët e Italisë, në kuadër të turit me diasporën.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga përgatitjet që po kryhen në pallatin e sportit “Busto Arsizio” ku do të zhillohet takimi i orës 11:00.
“Nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi”, tha Rama.
Të dielën e 12 majit, Kryeministri Edi Rama nisi turin e takimeve “Krenar për Shqipërinë” me diasporën në Greqi, Athinë.
Turi i takimeve vjen në kuadër të takimit me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë.
Rama pritet të takohet dhe me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Londër, Mbretëri e Bashkuar dhe Dyseldorf, Gjermani./atsh/KultPlus.com