29 Gusht, 2022 - 9:20 pm
Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.
Rama thotë se ky rast i ka tronditur të gjithë, duke ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.
Postimi i plotë:
“Rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, na ka tronditur të gjithëve.
Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.
Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin.
Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më.
Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!
Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, shkruan ai në “Facebook”. /KultPlus.com