29 Qershor, 2024 - 7:45 pm
Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Thethin, një nga destinacionet turistike më të bukura në rajonin verior të vendit, teksa ka zgjedhur t’i përcjellë publikut një pjesë të poemës “Nënë Shqipëri” nga kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli.
“Ti sytë lan në mëngjes me ujin e krojeve të maleve,
Ti llërët lëmon në mëngjes me shkumën e deteve,
Ti faqet fshin me peshqirin e madh të livadheve,
Ti flokët lyen me lëngun e luleve të bjeshkëve…
Dhe çdo mëngjes bëhesh më e re dhe përze zhubra e rudha,
Ne rrimë në prehrin tënd e dorën na shkon në flokë,
Thinjët na fshin kur gjunjët na dhembin nga udha,
Lodhjen na heq kur zgjuar na tretesh mbi kokë…
NËNË SHQIPËRI – Dritëro Agolli”, shkroi kryeministri.
Në foton që ndau në rrjete sociale, Rama shkruan: “Buni i Bajraktarit, një nga vendqëndrimet më të bukura në botë, rrugës për Theth.”
Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë. Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.
Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.
Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 m, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve Shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh.
Për shkak të zonës së tij të kufizuar, parku karakterizohet nga një florë shumë e larmishme, me vlerësime që variojnë midis 1500 dhe 1650 specie bimësh, midis të cilave 70 specie janë të rrezikuara. Ekzistojnë tre lloje të pyjeve që gjenden në park. Kati i lisit shtrihet nga një lartësi prej 600 metrash deri në 800 metra, kati i ahut që është i mbuluar kryesisht me ah të zakonshëm, bredh argjendi dhe sikor, midis 900 metra dhe 1.900 metra dhe kati alpin që shtrihet nga 1900 deri në 2300 metra.
Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit. / KultPlus.com