29 Korrik, 2024 - 11:00 pm
Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Pishporos në Fier, të cilin e cilësoi një perlë tjetër të Adriatikut.
I shtrirë në një gjatësi prej 9.5 kilometra mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishporo është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit, duke dhuruar spektakle të paparë.
Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.
18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.
Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.