9 Mars, 2024 - 12:15 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot episodin e 7-të të Sezonit 3, të PodKastit FLASIM, të quajtur “Zonja nga Qyteti dhe Çika e Alpeve”.
Kryeministri u shpreh se ky episod u zhvillua më 8 mars dhe janë të ftuara 2 gra nga fondi i madh i grave dhe vajzave shqiptare që në mënyrë të përditshme përballen me sfidat dhe japin shembuj të panumërt të faktit të thjeshtë se gratë shqiptare meritojnë më shumë.
Në këtë episod ishte ftuar aktorja korçare Zamira Kita dhe sipërmarrësja nga Thethi, Aida Gjeçaj.
“Të dyja keni diçka të përbashkët që jeni në këtë tryezë sepse jeni 2 gra që keni këmbëngulur tek rrënjët megjithëse keni pasur shumë mundësi të shkëputeshit nga rrënjët. Keni qëndruar besnike rrënjëve tuaja duke mos lëvizur kurrë nga Korça dhe Aida duke u rikthyer për të mos lëvizur më në Theth. Natyrisht keni karriera komplet të ndryshme njëra me artin dhe skenën tjetra me mikpritjen me bujtinën si derë e hapur për klientët si spektatorë mahnitës të bukurive të Thethit”, u shpreh Rama.
Gjeçaj u shpreh se “janë të dyja të ndërlidhura sepse pjesa e mikrpitjes është pjesë e turizmit. Turizmi është i lidhur me artin, por edhe me zanatin dhe eksperienca ime pararendëse e turizmit është edhe artizanati, kështu që nga arti tek zanati, tek turizmi, tek mikpritja”.
Duke folur për fondacionin e artizanatit, Gjeçaj tha se, “fondacioni “Rozafa”, që kur i vumë emrin, i vumë emrin e një gruaje që gjithashtu sakrifikon për familjen. Ne identifikuam 13 qendra artizanati grash që nga Vlora deri në Shkodër dhe qëllimi i projektit ishte të fuqizonim gruan, nëpërmjet fuqizimit ekonomik, në mënyrë të tillë që nëse ato sillnin të ardhura në familje dhe e drejta e tyre e fjalës rritet edhe kontributi dhe mund të mbanin familjen dhe mund të kishin të drejtë fjale. Mund t’i jepnim një punë duke u nisur nga tradita dhe i kthyem në aftësi për punë”.
Ndërsa aktorja Zamira Kita u shpreh se, “duket sikur arti, kultura, janë gjëra më të thjeshta, mund t’i kapësh më thjeshtë, mund të bësh emër, të bësh karrierë, në fakt nuk është kështu”.
“Kam 16 vjet që drejtoj teatrin në Korçë dhe 10 vjet që drejtor Artin dhe Kulturën. Sigurisht s’kam qenë e vetme është një staf i madh, vetëm s’do mund të arrinim diçka, por duhet luftuar”, tha Kita. / KultPlus.com