14 Janar, 2025 - 9:33 am
Kryeministri Edi Rama mori pjesë një ditë më parë në eventin dedikuar “Giro d’Italia” në Romë, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku Shqipëria u përzgjodh mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.
Në rrjetet sociale, Rama publikoi momente nga ky aktivitet duke theksuar se “Shqipëria u prezantua si destinacioni i sivjetëm i Nisjes së Madhe të Giro d’Italia, që do të ndiqet nga 200 televizione të botës e afro 800 milionë shikues”.
Në këtë event me pjesëmarrjen e edhe të Zëvendëskryeministrit, njëherazi ministër i Jashtëm i Italisë,Antonio Tajani, kryeministri Rama shoqërohej nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Rama ishte i ftuar së bashku me organizatorët e “Giro D’Italia” në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone, një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Evropë.
Kryeministri tha se etapat e garës do të jenë spektakolare pasi nxjerrin në pah natyrën e mrekullueshme të vendit.
“Shqipëria është një vend i bekuar, në kuptimin që në një territor të vogël ka gjithçka, kemi shumë male, dy dete, shumë lumenj. Nga ky këndvështrim, këto tre etapa janë spektakolare pasi nxjerrin në pah një pjesë shumë të bukur të vendit dhe nga ana tjetër është e jashtëzakonshme, se është një mënyrë për të treguar Shqipërinë si në një film.” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri, i cili theksoi se interesi i turistëve italianë për të vizituar Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e mbyllur vitin 2024 me 1.4 milionë vizitorë italianë.
Gara e famshme popullore, me një traditë 114 vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues./atsh/KultPlus.com