19 Shtator, 2021 - 10:30 pm
Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.
Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.
“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.
Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.
“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.
“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com